Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së hënës në Tiranë, ku i plagosur ka mbetur 34-vjeçari Juxhin Hamajezi.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 23:55, Hamajezi është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ishte plagosur në këmbë, dyshohet me armë zjarri. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se plagosja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu”, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Vetë 34-vjeçari ka deklaruar para hetuesve se konflikti ka qenë i çastit, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Burime bëjnë me dije se Hamajezi ndodhej në lokalin e tij, në shoqërinë e disa personave të tjerë, aty ku dyshohet se ka ndodhur edhe konflikti që përfundoi me plagosjen e tij.
34-vjeçari ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve hetimore, Hamajezi nuk ka qenë shumë bashkëpunues gjatë deklarimeve paraprake para policisë, duke mos dhënë shumë detaje mbi rrethanat e ngjarjes dhe personat e përfshirë.
Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës dhe të lokalit, me qëllim identifikimin e autorit dhe personave të tjerë që kanë qenë të pranishëm në momentin e plagosjes.
Juxhin Hamajezi rezulton një person me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2018 ai i shpëtoi një atentati me armë zjarri në zonën e Kinostudios në Tiranë.
Ai mbeti i plagosur bashkë me të vëllanë Rivelino Hamajezi. Për këtë ngjarje u hetua në dy pista, atë të prishjes së pazareve të drogës dhe një plagosje te mëparshme që mund të ketë kryer ky i fundit. Ngjarja ndodhi në 27 qershorit të vitit 2018, ku i dyshuar si autor ka qenë ish-efektivi i policisë Santiago Malko (i ekzekutuar).
Gjithashtu, sipas të dhënave, ai është arrestuar edhe më herët për trafikim klandestinësh.
Në vitin 2021 ai u arrestua nga policia e Tiranës për akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi u kap duke trafikuar shtetas sirianë.