Një incident i pazakontë është regjistruar në një market “Viva Fresh” në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, ku përdorimi i një spreji paralizues ushtarak ndaj një gjarpri përfundoi me dy punëtore në spital.
Ngjarja ka ndodhur më 7 maj 2026, rreth orës 18:00. Sipas informacioneve, sigurimi i marketit, Agim Sylaj, 41 vjeç, kishte vërejtur një gjarpër që kishte hyrë brenda lokalit dhe në përpjekje për ta larguar ka përdorur sprej ushtarak të tipit “Nato Super Paralizant”.
Por spreji është përhapur në ambientin e marketit, duke shkaktuar probleme shëndetësore tek dy punëtore, të identifikuara me inicialet E.U. dhe R.Z., 27 vjeç. Të dyja kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas incidentit.
Sipas burimeve pranë hetimit, njëra prej punëtoreve ishte shtatzënë në momentin e ngjarjes, çka e ka bërë situatën edhe më shqetësuese.
Në vendngjarje ka ndërhyrë Policia, e cila ka sekuestruar sprejin në cilësinë e provës materiale. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit kujdestar, 41-vjeçari është lënë i lirë në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprat penale “Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.