Agjencia e Mbikëqyrjes Policore këtë të premte ka zhvilluar një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zona të tjera përreth, në kuadër të hetimeve që lidhen me ndërtimet pa leje të kryera në jug të vendit.
Mësohet se në pranga kanë rënë shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, shefi i Krimeve të Sarandës, Andi Duro, si dhe dy specialistë të policisë.
Ndërkohë, mediat raportojnë se priten edhe arrestime të tjera në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në abuzimet me ndërtimet pa leje në zonat më të lakmuara bregdetare të jugut, Sarandë dhe Ksamil.
Bëhet me dije se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, punonjësit e policisë dyshohet se kanë pasur rol në lejimin apo mosndalimin e ndërtimeve pa leje.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me aksionin në jug të vendit, ku u arrestuan disa zyrtarë të lartë të policisë lokale, pasi dyshohet se kanë favorizuar ndërtimet pa leje.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndaluar me iniciativë punonjësit e policisë:
• Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
• Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
• Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
• Inspektor Robert Çullaj, specialist zone;
ndaj të cilëve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale:
• “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
• “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal;
• “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal; të kryera në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta funksionarë policie dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar ndërtime pa leje në qytetin e Sarandës, duke mos ndërmarrë masat ligjore për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe duke kryer veprime procedurale në kundërshtim flagrant me Kodin e Procedurës Penale.
Sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur për të goditur çdo formë abuzimi me detyrën, shkeljeje të ligjit dhe bashkëpunimi me elementë kriminalë, pavarësisht funksionit apo pozicionit të personave të përfshirë.
AMP inkurajon dhe mbështet çdo denoncim të ardhur nga qytetarët dhe mediat, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe verifikim të plotë të çdo informacioni në funksion të zbatimit të ligjit dhe rritjes së besimit publik.