Banorët e Rrjollit kanë thirrur një protestë kombëtare këtë të shtunë në orën 10:00, në kundërshtim të projektit turistik që po ndërtohet në zonë nga kompania Gener 2. Reagimi vjen pasi kantieri i resortit, që shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh, është rrethuar ditët e fundit me tela dhe mure të larta, veprim që banorët e konsiderojnë si një përpjekje për të kufizuar aksesin në tokat e tyre.
Sipas banorëve, projekti është shoqëruar prej kohësh me kontestime për pronësinë e tokave. Ata pretendojnë se një pjesë e sipërfaqeve janë përvetësuar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara nga ish-zyrtarë, të cilët më pas ia kanë shitur tokën kompanisë ndërtuese. Punimet për resortin kanë nisur që në muajin shkurt, ndërsa vendosja e gardheve dhe mureve ka shtuar tensionet dhe kundërshtimet në komunitet.
Organizatori i protestës, Prek Molla, ka deklaruar se qytetarë nga e gjithë Shqipëria pritet t’i bashkohen tubimit në mbështetje të banorëve të Rrjollit. Ai ka krahasuar situatën me protestat e fundit në Zvërnec dhe është shprehur se gardhi dhe muret e ngritura në zonë duhet të hiqen. Ndërkohë, protestues të tjerë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar rrethimin e kantierit si një simbol të kufizimit të të drejtave të komunitetit lokal.