Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Alba Pollozhani, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas natës së parë të Sunny Hill Festival, ku në skenë performoi ylli botëror Katy Perry. Reagimi i saj erdhi pasi gjatë koncertit u shfaq flamuri i Kosovës, ndërsa sipas saj mungoi flamuri kombëtar shqiptar.

Në disa InstaStory dhe komente të publikuara në Instagram, Pollozhani ngriti pyetjen: “Pse vetëm flamurin blu, e jo edhe flamurin e Shqipërisë?”, duke e cilësuar këtë si një mesazh të gabuar. Ajo shkroi se një ngjarje me audiencë globale duhej të promovonte edhe flamurin kuqezi, duke përdorur tone të forta kritike ndaj organizatorëve të festivalit, Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa.
Në një tjetër reagim, Alba u shpreh se artistët shqiptarë që performuan në festival nuk po reagojnë për këtë çështje, ndërsa i akuzoi se “marrin paratë e biletave” dhe heshtin. Ajo i cilësoi si “njerëz të shitur”, duke kërkuar prej tyre të mbajnë qëndrim publik.

Sunny Hill Festival, i themeluar nga Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, zhvillohet në Prishtinë dhe është një nga festivalet më të mëdha muzikore në rajon. Edicioni i këtij viti ka sjellë emra të njohur ndërkombëtarë, mes tyre edhe Katy Perry.