Protesta e banorëve në Rrjoll kundër ndërtimit të resortit luksoz të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj është shoqëruar me tensione dhe përplasje në terren. Gjatë momentit kur protestuesit po hiqnin rrethimin e kantierit të ndërtimit, një prej tyre ka mbetur i lënduar në këmbë.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, protestuesi është transportuar me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore dhe gjendja e tij nuk paraqet rrezik për jetën. Ndërkohë, gjatë përplasjes me policinë, banorët kanë vijuar me thirrje kundër klasës politike, përfshirë slogane si “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “poshtë diktatura”, duke shprehur pakënaqësi të forta ndaj situatës së pronave në zonë.