Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e djeshme (30 qershor) në Liqenin e Batllavës, Kosovë, ku një i ri dyshohet se është mbytur pasi ka rënë në ujë nga një varkë.
Sipas informacioneve të publikuara nga IndeksOnline, bëhet fjalë për Lirim Ruhanin, rreth 25 vjeç, nga fshati Prapashticë.
Burimet bëjnë me dije se i riu dyshohet se ka rënë në ujë gjatë një shëtitjeje me varkë. Kanë kaluar më shumë se gjashtë orë nga momenti i raportimit të ngjarjes, ndërsa ai ende nuk është gjetur.
Në vendngjarje ndodhen ekipet e Policisë së Kosovës dhe njësitë e kërkim-shpëtimit, të cilat po zhvillojnë një operacion intensiv në përpjekje për lokalizimin e të riut.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet dhe operacionin e kërkimit.