Pak ditë pas përfundimit të rrugëtimit të Brazilit në Kupën e Botës, Neymar është rikthyer në qendër të vëmendjes, kësaj here larg fushës së blertë. Ylli brazilian ka bërë një tjetër investim luksoz, duke marrë në dorëzim një superjaht me vlerë rreth 19 milionë euro, të cilin e ka pagëzuar “Enejota”, emër i frymëzuar nga inicialet e tij.
Sipas revistës braziliane Nautica, jahti ka një gjatësi prej 46 metrash dhe është ndërtuar për të garantuar luks dhe komoditet maksimal. Në bord ndodhen gjashtë suita ekskluzive të shpërndara në rreth 800 metra katrorë hapësirë, ndërsa një nga elementët më të veçantë është heliporti privat, që mundëson uljen dhe ngritjen e helikopterëve.
Superjahti është projektuar nga arkitekti Fernando Almeida si një model i tipit explorer, i përshtatshëm për lundrime të gjata. Ai fuqizohet nga katër motorë Caterpillar me nga 1.450 kuaj fuqi secili dhe arrin një shpejtësi maksimale prej rreth 37 kilometra në orë.
Pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës, Neymar fillimisht u shfaq në një turne pokeri, ndërsa tashmë ka zgjedhur të shijojë pushimet në det me blerjen e tij më të fundit. Superjahti ka nisur lundrimin e parë përgjatë brigjeve të Brazilit, duke kaluar nga Fortaleza dhe Recife, përpara se të ankorohet pranë rezidencës së futbollistit në shtetin e Rio de Janeiros.