Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP) dhe partnerët e tij ndërkombëtarë, diplomati dhe sportisti i njohur, Marin Meksi, u nderua me titullin “Misionar Paqeje”, “Ambasador Nderi” dhe me urdhrin e lartë, Medaljen e Artë “Order of Peace Warlord Gjergj Kastrioti Skanderbeg”.
Ceremonia u zhvillua në prani të personaliteteve të njohura ndërkombëtare, të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të bashkëpunimit për zhvillimin e trajnimeve diplomatike dhe organizimin e Samitit të të Rinjve, që pritet të mbahet në qytetin e Vitisë, Kosovë, me pjesëmarrjen e të rinjve nga mbarë bota.
Në zyrat qendrore të DMPP-së, Dr. Shefki Hysa priti Dr. Andrise Bass, drejtuese e Institutit të Politikave Publike dhe Qendrës së Kërkimit të Diplomacisë (IPPDR) në Nju Jork, SHBA, Shefe e Protokollit Diplomatik dhe këshilltare politike e krerëve të shteteve; Dr. Arsène Romaric, themelues dhe kryetar i International Diaspora Foundation (IDF); si dhe znj. Mahah Vladimire, menaxhere projektesh për zhvillim të qëndrueshëm në Gjermani.
Takimi dhe ceremonia e vlerësimit shënuan një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e diplomacisë, paqes dhe fuqizimit të të rinjve, duke e kthyer Shqipërinë në një pikë takimi për figura të rëndësishme të diplomacisë dhe zhvillimit global.
