Autori i ngjarjes së rëndë që tronditi Turqinë një ditë më parë, ku humbën jetën gjashtë persona dhe tetë të tjerë mbetën të plagosur, është gjetur i pajetë në një zonë pyjore pranë Tarsusit, mes Mersinit dhe Adanës, pas disa orësh kërkimesh intensive nga autoritetet.
Sipas raportimeve të mediave turke, 37-vjeçari ishte larguar menjëherë pas sulmeve dhe ishte fshehur në një zonë të pyllëzuar. Forcat e policisë nisën një operacion të gjerë për lokalizimin e tij, ku u angazhuan edhe helikopterë dhe njësi speciale. Raportohet se ai refuzoi të dorëzohej dhe i dha fund jetës në momentin kur u rrethua nga autoritetet.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat turke, ngjarja tragjike nisi me vrasjen e ish-bashkëshortes së autorit. Pas kësaj, ai u drejtua drejt një restoranti ku hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin aty, duke i marrë jetën pronarit dhe një punonjësi të lokalit.
Sulmet vijuan edhe në zona të tjera. Më pas, 37-vjeçari dyshohet se vrau një bari dhe një shofer kamioni pranë një karburanti, ndërsa gjatë lëvizjes në disa zona të ndryshme la të plagosur edhe tetë persona të tjerë.
Mes të mbijetuarve është edhe Mehmet Han Topal, punonjës në restorantin ku nisën të shtënat, i cili ka rrëfyer momentet e tmerrit të përjetuara.
“Ai hyri pa folur fare. Mendova se po nxirrte telefonin, por nxori armën. U ula menjëherë dhe më qëlloi.”
Autoritetet lokale kanë bërë me dije se autori kishte pasur më herët probleme të dokumentuara të shëndetit mendor dhe histori varësie nga substanca narkotike. Sipas raportimeve, ai kishte kryer disa trajtime spitalore dhe ishte diagnostikuar më parë me çrregullime psikiatrike.