Ndonëse prej kohësh kanë ndarë rrugët, Kejsi dhe Stresi vijojnë të tregojnë se mes tyre ka mbetur respekt dhe mbështetje reciproke. Me rastin e ditëlindjes së reperit Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, ish-partnerja e tij ka bërë një gjest që ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale.
Përmes një videoje të publikuar në InstaStory, Kejsi i ka dedikuar një mesazh të veçantë reperit, duke i uruar ditëlindjen dhe duke shprehur vlerësimin që vazhdon të ketë për të.
“Gëzuar ditëlindjen. Po të dërgoj këtë mesazh për të të uruar. Besoj se ta kam për borxh se sa mesazhe që më ke çuar ti mua. Të uroj çdo të mirë. Vitet kalojnë, gjërat ndryshojnë. Një gjë që gjithmonë do mbesi njësoj është që unë do jem gjithmonë pas teje. Dua çdo të mirë që kjo botë ka për ty”, shprehet Kejsi në videon e saj.
Por nuk ka mbetur me kaq. Krahas mesazhit emocionues, ajo ka publikuar edhe foto të vjetra ku shfaqet pranë Stresit, duke rikthyer kujtime nga historia e tyre e dashurisë. Një prej postimeve është shoqëruar edhe me mbishkrimin: “Edhe 100 të tjera”, duke lënë të kuptohet se pavarësisht ndarjes, urimi i saj ka ardhur nga zemra.

Historia e Kejsit dhe Stresit ka qenë ndër më të komentuara në showbizin shqiptar. Edhe pas ndarjes, të dy kanë treguar vazhdimisht respekt për njëri-tjetrin, duke mos munguar urimet në ditë të veçanta apo mesazhet publike të mbështetjes.
Postimi i fundit i Kejsit ka ngjallur menjëherë reagime mes fansave, të cilët kanë nisur të aludojnë nëse mes tyre vazhdon të ekzistojë një lidhje e fortë emocionale, apo thjesht një miqësi e sinqertë që i ka mbijetuar kohës.