Një 44 vjeçar nga Korça, me precedent penal për vjedhje me dhunë, është arrestuar nga shërbimet e Policisë së Shtetit pasi ka kanosur me thikë pronaren e klinikës dentare ku hyri për të vjedhur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte hyrë në një klinikë private, në lagjen nr. 5, dhe po kanoste me thikë pronaren, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Falë reagimit të menjëhershëm, efektivët kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit A. Ç., 44 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë.
Ky shtetas ka hyrë në ambientet e një klinike dentare, ku pasi ka shtyrë me forcë pronaren e klinikës dhe e ka kanosur atë, me mjet prerës (thikë), ka vjedhur një laptop. Thika e përdorur për kanosjen dhe laptopi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.