Bebe Rexha nuk i harron shijet shqiptare edhe pse prej vitesh është një nga emrat më të njohur të muzikës ndërkombëtare. Këngëtarja ka zbuluar së fundmi një tjetër anë të saj, këtë herë larg skenës dhe shumë pranë kuzhinës.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin e njohur amerikan “Today”, Bebe ka treguar se gatimi është një prej pasioneve të saj dhe se veçanërisht i pëlqen të përgatisë ushqime tradicionale shqiptare.
“Më pëlqen të gatuaj ushqim shqiptar. Jam shumë e mirë në gatimin e groshës, që është si një lloj supe, dhe pastaj në speca, të cilat i gatuaj me mazë. Jam shumë e mirë në plot gjëra”, ka treguar artistja.
Deklarata është një tjetër dëshmi e lidhjes që Bebe Rexha vazhdon të ruajë me origjinën dhe traditat shqiptare. Pavarësisht jetës mes studiove muzikore, koncerteve dhe eventeve ndërkombëtare, në kuzhinë ajo rikthehet te receta dhe shijet me të cilat është rritur.
Në planin profesional, Bebe po përjeton një periudhë të rëndësishme të karrierës së saj. Albumi “Dirty Blonde” përfaqëson një kapitull të ri për të si artiste e pavarur.
Ndërkohë, bashkëpunimi i saj me grupin britanik Faithless, “New Religion”, i ka sjellë një tjetër vlerësim, me nominimin në kategorinë Best Dance në MTV Video Music Awards 2026.
Nga muzika ndërkombëtare te grosha dhe specat me mazë, Bebe Rexha duket se e merr gjithmonë me vete një copëz të traditës shqiptare.