Kosova po përballet me një bilanc të rëndë të vrasjeve të grave. Gjatë vitit 2026, tetë gra kanë humbur jetën në raste të rënda që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë rikthyer në vëmendje çështjen e mbrojtjes së grave nga dhuna.
Sipas raportimeve të Klan Kosovës, ngjarjet e regjistruara në muaj të ndryshëm të vitit kanë ngritur pikëpyetje mbi reagimin e institucioneve dhe efektivitetin e mekanizmave që synojnë të parandalojnë dhunën dhe të garantojnë sigurinë e personave në rrezik.
Mes viktimave janë një grua rreth 60 vjeçe, një 25-vjeçare shtatzënë dhe një tjetër grua që, vetëm tri ditë para se të vritej, kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të mbrojtur jetën e saj.
Rasti i fundit është ai i Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Vdekja e saj e çoi në tetë numrin e grave të vrara në Kosovë gjatë këtij viti, sipas rasteve të raportuara.
Janar – Restelicë, Dragash
Viti nisi me një ngjarje të rëndë në Restelicë të Dragashit, ku u gjet e pajetë një grua rreth 60 vjeçe. Për vrasjen e saj dyshohej djali, rreth 30 vjeç. Sipas Policisë, ai u arrestua dhe u ndalua, ndërsa hetimet vijuan për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Mars – Majac, Podujevë
Në fshatin Majac të Podujevës, të shtënat me armë zjarri u morën jetën tre personave, mes tyre dy grave.
Sipas Policisë, Ardita Gashi dyshohej se kishte qëlluar për vdekje Ilaz Brahimin, 45 vjeç, i cili ndërroi jetë në vendngjarje. Më pas, ajo dyshohej se kishte marrë peng dhe plagosur Miradije Gashin, e cila humbi jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Edhe e dyshuara ndërroi jetë në spital, si pasojë e plagëve të marra.
Gusht – Prizren
Një tjetër rast u raportua në Prizren, ku një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., dyshohej se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, 81 vjeç.
Shtator – Poterq i Epërm, Klinë
Në Poterq të Epërm të Klinës, Zoje Zeneli, 81 vjeçe, u sulmua nga djali i saj dhe pësoi lëndime të rënda. Ajo u dërgua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku qëndroi për afro një muaj. Më 6 tetor, ajo ndërroi jetë në spital. Rrethanat e plota të ngjarjes mbetën për t’u sqaruar.
Tetor – Livoç i Ulët, Gjilan
Më 9 tetor, të shtënat me armë zjarri në Livoç të Ulët të Gjilanit u morën jetën Nafije Bogujevcit dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevcit. Për ngjarjen dyshohej bashkëshorti i Nafijes, i cili më pas u dorëzua në Polici.
Tetor – Vitomiricë, Pejë
Rasti më i fundit është vrasja e Arlinda Zekajt, mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Për ngjarjen dyshohet kunati i saj, i cili është shpallur në kërkim nga Policia.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta edhe për shkak të një letre që Zekaj i kishte dërguar më 22 tetor kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Në shkresën urgjente, ajo kishte kërkuar ndërhyrje, duke shprehur frikën për sigurinë e saj.
“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo, tri ditë para se të vritej.