Lëvizje të reja raportohet se po ndodhin në qeverinë Rama. Besfort Lamallari është larguar nga posti i ministrit të Brendshëm, ndërsa në vend të tij është zgjedhur Ervin Demo, i cili deri më tani mbante detyrën e ministrit për Pushtetin Vendor.
Largimi i Lamallarit mësohet se është bërë i ditur gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, që po zhvillohet në Kryeministri.
Lamallari e mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme më 6 mars të këtij viti, duke qëndruar në këtë detyrë për rreth gjashtë muaj. Me largimin e tij, Ministria e Brendshme ndryshon sërish drejtues brenda një periudhe relativisht të shkurtër.
Ndërkohë, kalimi i Ervin Demos në krye të Ministrisë së Brendshme e vendos atë në një nga postet më të rëndësishme të kabinetit. Demo ka mbajtur deri tani portofolin e Pushtetit Vendor, ndërsa emri i tij është përfolur më herët edhe për poste të tjera të rëndësishme në qeveri.