Deputetja socialiste Bora Muzhaqi ka dalë me një reagim publik ndaj eurodeputetes gjermane Jutta Paulus, pasi kjo e fundit publikoi në rrjetet e saj sociale një e-mail që ligjvënësit shqiptarë i kishin dërguar për rastin e Zvërnecit, në Parlamentin Europian.
Muzhaqi thotë se është i trishtueshëm fakti që eurodeputetja Jutta Paulus ka udhëtuar dje për në Shqipëri dhe i është bashkuar protestës nën zyrën e Edi Ramës, ndërkohë që asnjëherë më parë nuk e ka vizituar Shqipërinë.
“Është për të ardhur keq që një Anëtar i nderuar i Gjelbër i Parlamentit Europian duhet të japë një shembull kaq të dobët: së pari, duke lëshuar një “sqarim” pa ofruar asnjë falje për një pasaktësi të konsiderueshme faktike, dhe së dyti, duke pretenduar se ne në një farë mënyre jua kemi paraqitur gabim situatën.
Të udhëtosh për të protestuar në një vend që nuk e ke vizituar kurrë më parë, duke akuzuar qeverinë e tij për gjëra që janë thjesht të pavërteta, dhe pastaj ta trajtosh refuzimin tënd për t’u angazhuar me informacionin faktik të përmbajtur në emailin tonë si një medalje nderi nën sloganin “Ligji Europian nuk është në shitje” është, sinqerisht, një gabim mjaft i trishtueshëm në gjykim dhe stil politik”,shkruan deputetja Bora Muzaqi.
Deputetja socialiste thekson se ajo dhe Taulant Balla në asnjë moment nuk ju ka kërkuar eurodeputetëve që të votonin kundër mbrojtjes së mjedisit, por të mos mbështesnin amendamentet e bazuara në pretendime që nuk korrespondonin me faktet.
“Debati demokratik ndërtohet mbi fakte, jo mbi narrativa që nxisin propagandën kundër të tjerëve Shpresoj sinqerisht që ky shkëmbim t’ju inkurajojë të rishqyrtoni marrëdhënien tuaj me të vërtetën e këtij rasti dhe të ndaloni së zhvilluari betejën mjaft absurde kundër vetë fakteve”, thotë Bora Muzhaqi.
Ndërkohë, eurodeputetja gjermane Jutta Paulus në publikimin e saj të sotëm, thotë se Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla pak para votimit për Raportin e Shqipërisë 2025, i kanë dërguar asaj dhe disa eurodeputetëve të tjerë, një letër për rastin e Zvërnecit.
“Në letrën e tyre, ata na kërkuan shprehimisht ne, eurodeputetëve, të mos i mbështesnim Amendamentet 4 dhe 17. Të dy deputetët pretenduan se amendamentet ishin bazuar në një fushatë dezinformimi dhe paraqitën në mënyrë të shtrembër situatën rreth projektit kontrovers në Zvërnec”, shkruan eurodeputetja.
