Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka publikuar në rrjetet sociale emailet që, sipas saj, i janë dërguar nga deputetët socialistë Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi përpara votimit të Raportit për Shqipërinë 2025 në Parlamentin Europian.
Në postimin e saj, Paulus sqaron se më herët kishte deklaruar gabimisht se emaili ishte dërguar personalisht nga kryeministri Edi Rama, ndërsa tashmë saktëson se mesazhi është dërguar nga dy deputetët e Partisë Socialiste.
Sipas eurodeputetes, në letrën e tyre Balla dhe Muzhaqi u kanë kërkuar eurodeputetëve të mos mbështesin amendamentet 4 dhe 17, duke argumentuar se ato bazoheshin në një fushatë dezinformimi dhe paraqisnin në mënyrë të shtrembëruar situatën rreth projektit në Zvërnec.
Në emailin e publikuar, deputetët shprehen se projekti nuk ka marrë ende leje ndërtimi, se zona e mbrojtur nuk ka ndryshuar status dhe se çdo zhvillim i mëtejshëm do t’i nënshtrohet një vlerësimi të thelluar të ndikimit në mjedis, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë të Bashkimit Europian.
“Për të qenë e qartë: letra nuk u dërgua personalisht nga kryeministri Edi Rama, siç deklarova gabimisht më parë, por nga deputetët e tij Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi”, shkruan Paulus në postimin shoqërues, ku ka publikuar edhe pamjet e emaileve.

