Screenshot
Polemika mes Estel Agajt dhe ish-konkurrentit të “Për’puthen”, Remil Peqini, është zgjeruar pas publikimit të një dokumenti gjyqësor, mesazheve me akuza në rrjetet sociale dhe reagimeve të njëpasnjëshme të Agajt.
Gjithçka mori vëmendje pasi Elton Tozaj publikoi një dokument që lidhej me një çështje gjyqësore mes dyshes. Në materialin fillestar nuk ishte e qartë se kush kishte kërkuar mbrojtje dhe ndaj kujt ishte ngritur kërkesa.
Pas lajmit, Estel Agaj vendosi të reagojë duke publikuar në Instagram Story një pjesë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Nga dokumenti i publikuar prej saj, Estel Agaj figuron si paditëse dhe Remil Peqini si i paditur, ndërsa objekti i çështjes është “Lëshimi i Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes”. Në pjesën e vendimit të ekspozuar thuhet se urdhri lëshohet në favor të Agajt dhe se Peqini urdhërohet të mos kryejë apo kërcënojë se do të kryejë veprime dhune ndaj saj, si dhe të mos e shqetësojë, ofendojë apo komunikojë drejtpërdrejt me të.
“Mëqenëse u kërkua reagimi im!”, shkroi Estela krahas dokumentit.

Por historia nuk përfundoi këtu. Në rrjet u publikua edhe një mesazh i ardhur nga një profil, ku personi pretendonte se kishte qenë shoqëri me Estelën dhe ngrinte akuza mbi jetën e saj private, përfshirë pretendimin se ajo kishte pasur disa lidhje paralele.
Estela i ka kundërshtuar këto akuza dhe ka reaguar duke publikuar një sërë profilesh në Instagram. Sipas pretendimit të saj, disa prej llogarive nga të cilat janë bërë sulme apo komente ndaj saj dhe personave të tjerë lidhen me Remil Peqinin.
“I njëjti profil ju adresohet ju duke gënjyer se është një ‘shoqja ime’”, shkruan ajo, ndërsa në një tjetër Story pretendon se profile të ndryshme janë përdorur për të sharë persona publikë, panelistë, të ftuar, gazetarë dhe komentues.

Agaj ka publikuar gjithashtu një bisedë private që, sipas saj, është zhvilluar me nënën e Remil Peqinit. Në mesazhet e shfaqura, personi që shkruan kërkon falje për sjelljen e djalit dhe i kërkon Estelës që të tërheqë denoncimin, duke iu lutur gjithashtu që të bisedojnë.

Të gjitha pretendimet mbi profilet në Instagram, lidhjet e supozuara të Estelës dhe identitetin e personit që ka dërguar mesazhet private janë versione të palëve të përfshira dhe nuk mund të konsiderohen të provuara vetëm nga postimet në rrjetet sociale.
Ajo që dokumentohet nga fotografia e vendimit të publikuar nga vetë Agaj është se ajo figuron si paditëse në çështjen për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje ndaj Remil Peqinit.
Përplasja tashmë është zhvendosur nga një dokument gjyqësor në një seri akuzash dhe kundërakuzash publike, ndërsa Estel Agaj ka zgjedhur t’u përgjigjet pretendimeve duke publikuar dokumente, profile dhe komunikime private.

Ndërkohë redaksia e Pa Dorashka ka kontaktuar Remil Peqinin por ky i fundit ende nuk ka bërë një reagim nga ana e tij.