Aleksandër Koçeku mbeti i vrarë ditën e sotme në Prekal të Shkodrës, e një nga pistat kryesore të hetimit është motivi i gjakmarrjes. Kjo sepse në shkurt të vitit të kaluar mbeti i vrarë 20 vjeçari Pavlin Preka, i cili u gjet i vdekur në oborrin e banesës së tij.
Ekzekutimi i Koçekut ndodhi vetëm disa orë pasi Prokuroria e Shkodrës dha vendimin për zgjatjen edhe me tre muaj të hetimeve për dosjen e tij ndaj vrasjes së Prekës, ngjarje për të cilën janë arrestuar Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku, të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Autoritetet janë ende duke verifikuar nëse ekziston ndonjë lidhje mes ngjarjeve, dhe ende nuk ka një njoftim zyrtar prej tyre që të pohohë këtë dyshim.
Aleksandër Koçeku, po hetohej në gjendje të lirë pasi deri më tani nuk ishin gjetur prova të mjaftueshme për ta çuar në masën e arrestit.
Kujtojmë se 20 vjeçari i ndjerë, Pavlin Preka, ka tentuar të krijojë lidhje intime me vajzën e Vasel Koçekut,asokohe 16 vjeç, emrin e të cilës mësohet se e ka pasur tatuazh në pjesën e qafës.
Historia, sipas hetimeve, nis rreth vitit 2022, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.
Por sipas atyre që janë raportuar deri më tani, Preka vijoi të shfaqte interes për vajzën, teksa nga ana tjetër kjo gjë nuk është pranuar nga familja Koçeku. Sipas hetimeve dyshohet se mëngjesin e 27 shkurtit, 2025 Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ishte xhaxhai i 20-vjeçarit, Nikollë Preka, personi i cili e gjeti nipin e tij të vrarë. I riu jetonte i vetëm në shtëpi ndërsa ushqehej tek familja e xhaxhait që e kishte shumë afër. Pasi e kishin telefonuar disa herë për të ngrënë drekën, ai nuk i ishte përgjigjur dhe si rrjedhojë xhaxhai i tij kishte shkuar tek banesa duke menduar se mos ishte në gjumë.
Por, në atë moment e gjeti 20-vjeçarin të shtrirë në oborrin e banesës të “bërë shoshë” nga plumbat. Menjëherë ai telefonoi policinë, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes dhe filluan hetimet.