Hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi në Tiranë kanë shënuar një zhvillim të ri, pasi Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e një shtetasi që dyshohet se mund të jetë i përfshirë në ngjarje.
I ndaluari është Enea Zyferi, i cili dyshohet se ka pasur rol në përkrahjen e autorit të mundshëm të krimit. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditura më shumë detaje mbi përfshirjen e tij.
Zhdukja e të riut është denoncuar nga familjarët më 4 qershor, të cilët kanë deklaruar se prej asaj kohe nuk kanë më asnjë kontakt me të. Ata shprehen se kanë kaluar më shumë se një javë pa asnjë informacion mbi fatin e tij.
Sipas të afërmve, Eglant Koçi nuk ka pasur konflikte apo probleme të njohura që mund të lidhen me zhdukjen. Burime jozyrtare bëjnë me dije se ai punonte si postier dhe kryente lëvizje të shpeshta drejt zyrave të këmbimit për shkëmbim të kriptomonedhave me para cash.
Nga pamjet e sigurisë, 34-vjeçari është parë për herë të fundit në zonën e Sheshit “Wilson” në Tiranë, pranë motorit të tij dhe një automjeti gri tip “Toyota Corolla”, i cili tashmë është nën verifikim nga grupi hetimor.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se arrestimi është kryer në kuadër të veprimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për të përcaktuar lëvizjet e fundit të tij dhe për të sqaruar rrethanat e zhdukjes.