Debati për pronësinë e tokave në zonën e Rrjollit, në Velipojë, është rikthyer sërish në vëmendje pas pretendimeve të banorëve se kantieri i resortit “Blu Borgo”, investim i lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, është rrethuar me tela me gjemba. Banorët, të cilët kundërshtojnë projektin prej muajsh, pretendojnë se toka ku po zhvillohet investimi u përket atyre dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për verifikimin e situatës.
Pamje të publikuara nga banorët tregojnë rrethimin e kantierit, ndërsa ata e konsiderojnë këtë veprim të paligjshëm. Në shenjë kundërshtimi, përfaqësues të komunitetit kanë njoftuar zhvillimin e një proteste kombëtare më 13 qershor në Rrjoll, duke kërkuar transparencë mbi statusin juridik të pronave dhe ligjshmërinë e investimit.
Çështja vjen në një moment kur debatet për projektet turistike në bregdet janë intensifikuar, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në Zvërnec. Ndërsa banorët kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre pronësore, autoritetet pritet të verifikojnë pretendimet e palëve dhe dokumentacionin përkatës për të sqaruar situatën.