Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ka ardhur në jetë fëmija e 11 e një çifti shqiptar.
Zeid është anëtari më i ri i familjes së Fatmirës dhe Ervinit, të cilët janë prindër edhe të 8 vajzave e dy djemve të tjerë.
Fatmira ka treguar se të gjithë fëmijët i ka lindur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ku ka marrë të gjithë kujdesin e nevojshëm. Ajo shprehet se është e lumtur dhe e bekuar që ka familje të madhe.
“Jam e lumtur dhe e kënaqur që kam një familje të madhe. Të gjithë më pyesin si është jeta me shumë fëmijë, unë jam e lumtur sepse e kam shtëpinë plot”, tha ajo.
Rasti i Fatmirës dhe Ervinit është i rrallë, në një kohë ku vendi po përballet me krizë lindjesh dhe plakje me ritme të shpejta të popullsisë.