Screenshot
Influencerja Dea Mishel ka reaguar publikisht pas incidentit që ndodhi gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku një i ri i shoqëruar me një qen pitbull e ka ofenduar verbalisht, ndërsa më pas disa persona të tjerë e kanë ndjekur, duke krijuar tension dhe panik mes të pranishmëve.
Ngjarja e publikuar nga Pa Dorashka dhe Eterna Media, u konfirmoi përmes një reagimi në rrjetet sociale nga Dea Mishel se videoja është e vërtetë dhe se situata e ka shqetësuar seriozisht. Sipas saj, personi në fjalë e ka sulmuar me fjalë pa asnjë provokim nga ana e saj, ndërsa prania e një qeni të madh pranë tij e bëri situatën edhe më frikësuese.
“Kjo video është e vërtetë. Më sulmoi me fjalë, i pa provokuar. Ishte e frikshme sepse kishte dhe një qen të madh me vete”, shkruan Dea në reagimin e saj, duke shtuar se disa persona e ndoqën më pas nga zona ku po zhvillohej protesta.
Në postimin e saj, ish-banorja e Big Brother VIP u ka bërë thirrje ndjekësve dhe Policisë së Shtetit që të ndihmojnë në identifikimin e personit, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten dhe protestat të zhvillohen pa incidente. Ajo shprehet se nuk dëshiron përshkallëzim të tensioneve apo episode dhune.
Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar pretendime se i riu i përfshirë në incident është identifikuar si djali i ish-deputetit Paulin Sterkaj. Deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet lidhur me identitetin e personit apo rrethanat e plota të ngjarjes.
Dea Mishel falënderoi gjithashtu personat që i qëndruan pranë gjatë momentit të tensionuar, duke theksuar se ndihet e prekur nga mbështetja e tyre. “Jam shumë e shqetësuar. Nuk dua të shoh asnjë incident dhune. Protesta do të vazhdojë”, shkroi ajo në përfundim të reagimit të saj.

Ngjarja ka shkaktuar debat të gjerë në rrjetet sociale, ndërsa shumë komentues kanë kërkuar që organet kompetente të sqarojnë rrethanat e incidentit dhe të garantojnë sigurinë e pjesëmarrësve në protestat qytetare.