Rikthimi i shumëpritur i Festivalit të Pranverës duket se po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, ndërsa së fundmi janë zbuluar edhe emrat që pritet të drejtojnë këtë spektakël muzikor.
Sipas informacioneve të bëra publike në emisionin “Çasti i Duhur”, prezantuesit e Festivalit të Pranverës do të jenë këngëtarja me famë ndërkombëtare Bleona Qereti dhe aktori i njohur Nik Xhelilaj.
Lajmi është konfirmuar nga moderatorja Fjodora Fjora, e cila u shpreh se festivali rikthehet pas 22 vitesh në ekranin e RTSH-së me dy emra shumë të njohur për publikun shqiptar.
“Konfirmojmë dy prezantuesit e Festivalit të Pranverës, i cili rikthehet pas 22 vitesh në ekranin e RTSH-së: Bleona Qereti dhe Nik Xhelilaj. Urime këtij dueti fantastik që mezi presim ta shohim në skenë”, është shprehur moderatorja.
Festivali i Pranverës do të mbahet më 6 dhe 7 qershor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke rikthyer nostalgjinë e një prej eventeve më të dashura muzikore për publikun shqiptar.
Në këtë edicion do të performojnë 20 artistë me interpretime live, në një kombinim mes muzikës tradicionale dhe elementeve moderne. Ndërkohë, Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe bendi muzikor kanë nisur prej ditësh provat intensive për spektaklin.
Rikthimi i Festivalit të Pranverës pas më shumë se dy dekadash ka zgjuar interes të madh në rrjet, ndërsa emrat e Bleona Qeretit dhe Nik Xhelilajt si prezantues kanë shtuar edhe më shumë kuriozitetin e publikut për atë që pritet të ndodhë në skenë.