Pastruesja Rozeta Dobi ka lënë sot qelinë e burgut të grave në Pojskë pasi ka përfituar nga amnistia penale. Gruaja që tre vite më parë u kthye në një nga emrat më të përfolur në vend pas zbulimit të një vjedhjeje të bujshme, tashmë është e lirë pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit të dhënë nga drejtësia.
Rozeta Dobi u bë e njohur publikisht në vitin 2023, pas arrestimit për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë nga banesa e ish-zyrtares së lartë të shtetit, Alda Klosi, ku ajo punonte si pastruese prej disa vitesh.
Sipas hetimeve të zhvilluara në atë kohë, Dobi dyshohej se kishte vepruar në bashkëpunim me djalin e saj, Havier Dobin. Pas denoncimit për grabitjen e kasafortës nga apartamenti, policia nisi hetimet dhe zbuloi se çështja ishte shumë më “e thellë”, pasi ndaj Dobit kishte edhe denoncime të tjera për vjedhje të përsëritura.
Në momentin e arrestimit, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme parash, automjete dhe sende me vlerë që dyshohej se kishin lidhje me aktivitetin e paligjshëm. Fillimisht u gjetën rreth 120 mijë euro, dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri, ndërsa hetimet më tej zbuluan shuma të tjera të fshehura në banesën e saj.