Një 97-vjeçar në Kaliforni ka ndërruar jetë gjatë festës së ditëlindjes së tij, vetëm pak pasi kishte kërcyer me miqtë nën ritmet e këngës së njohur “Stayin’ Alive” të grupit Bee Gees.
I moshuari, i njohur si Vito, kishte organizuar një festë me tematikë Halloween për të shënuar 97-vjetorin, ku kishte mbledhur miq dhe njerëz të afërt. Pamjet e momenteve të tij të fundit janë shpërndarë në TikTok dhe kanë marrë miliona shikime.
Në video, Vito shfaqet i veshur me të zeza dhe me syze, teksa kërcen, duartroket dhe shijon muzikën së bashku me të ftuarit.
Historinë e ka treguar fqinja dhe mikja e tij 24-vjeçare, Eden Malinoff, e cila ishte gjithashtu e pranishme në festë dhe kishte përgatitur tortën e ditëlindjes.
Sipas Eden, Vito ishte një person mjaft aktiv, i cili pëlqente të kalonte kohë me të rinjtë dhe nuk ngurronte të organizonte festa.
“Javën e kaluar ishte ditëlindja e 97-të e Vitos dhe, siç e kishte zakon, ai donte ta festonte duke organizuar një festë të madhe me tematikë Halloween”, tregoi ajo.
Eden zbuloi gjithashtu një bisedë që kishte pasur me të moshuarin, kur e kishte pyetur për sekretin e jetëgjatësisë.
Përgjigjja e tij kishte qenë me humor: “Mos pi kurrë alkool të lirë”.
E frymëzuar nga kjo batutë, 24-vjeçarja kishte vendosur t’i përgatiste një tortë me çokollatë dhe verë të kuqe.
Megjithatë, festa mori një rrjedhë të papritur. Pak pasi të pranishmit i kënduan këngën tradicionale të ditëlindjes, Vito ndërroi jetë.
“Fatkeqësisht, mbrëmja nuk përfundoi siç e kishim menduar dhe Vito bëri një largim dramatik”, tregoi Eden në videon e saj.
Ajo shtoi se, pavarësisht asaj që ndodhi, besonte se miku i saj do të kishte dëshiruar t’i kalonte pikërisht kështu momentet e fundit, i rrethuar nga njerëzit e dashur dhe muzika që pëlqente.
Një person që u prezantua si miku më i ngushtë i Vitos komentoi gjithashtu në Instagram, duke treguar se i moshuari kishte disa probleme shëndetësore, seriozitetin e të cilave miqtë nuk e kishin kuptuar plotësisht.
“Ai kërceu shumë mirë pak më parë. Ishte një festë e mrekullueshme ditëlindjeje. Kishte disa probleme shëndetësore që nuk e dinim sa serioze ishin dhe ndërroi jetë në paqe, ndërsa dëgjohej muzika e tij e preferuar”, shkroi ai.
Videoja e publikuar nga Eden ka kaluar 10 milionë shikime në TikTok, ndërsa shumë përdorues kanë komentuar rastësinë e veçantë që Vito ndërroi jetë në ditëlindjen e tij, vetëm pak pasi kishte kërcyer këngën “Stayin’ Alive”, titulli i së cilës në shqip do të thotë “Të mbetesh gjallë”.
Historia është raportuar nga gazeta britanike “Metro”, ndërsa shkaku i saktë mjekësor i vdekjes së 97-vjeçarit nuk është bërë publik.