Një moment emocionues është shënuar në Shkup gjatë organizimeve për Ditën e Zjarrfikësve, ku një anëtar i Brigadës së Zjarrfikësve vendosi të bëjë një propozim martese të veçantë para kolegëve dhe qytetarëve të pranishëm. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen dhe është shoqëruar me emocione të forta dhe duartrokitje.
Zjarrfikësi kishte organizuar gjithçka në detaje, ndërsa kolegët e tij mbanin një pankartë me mesazhin prekës: “Kam qenë i guximshëm në të gjitha intervenimet, por kjo është më e rëndësishmja për mua a do të martohesh me mua?”. E dashura e tij u surprizua nga gjesti romantik dhe nuk nguroi të japë përgjigjen pozitive mes ovacioneve të të pranishmëve.
Pas “po”-së vendimtare, atmosfera u mbush me brohorima, përqafime dhe urime nga kolegët dhe qytetarët që ndoqën momentin e veçantë. Propozimi u kthye në një nga momentet më të bukura të aktivitetit, duke i dhënë festës së zjarrfikësve një dimension emocional dhe njerëzor.