Një video e vjetër e Sokrat Vatës, 29-vjeçarit të arrestuar si autor i dyshuar i vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale.
Në pamjet që po shpërndahen, Vata shihet në një ambient turistik në jug të vendit, duke kërcyer dhe u argëtuar së bashku me turistë të huaj. Videoja raportohet se është realizuar rreth një vit më parë.
Pamjet kanë marrë vëmendje pas ngjarjes së 18 gushtit në Ksamil, ku Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas një konflikti. Sipas të dhënave të policisë dhe raportimeve mbi hetimin, Sokrat Vata dyshohet se e ka goditur të riun me mjet prerës, ndërsa më pas është larguar nga vendngjarja.
29-vjeçari u lokalizua disa orë më vonë në aksin Levan-Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti, dhe u arrestua nga policia.
Kontrasti mes videos së vjetër, ku Vata shfaqet duke u argëtuar me turistë, dhe ngjarjes për të cilën akuzohet sot ka sjellë reagime të shumta në rrjet. Rasti ka marrë vëmendje edhe për shkak se ndodhi në Ksamil, një prej destinacioneve shqiptare më të frekuentuara nga turistët e huaj gjatë sezonit veror.
Hetimet për dinamikën e plotë të konfliktit vazhdojnë. Sipas të dhënave të deritanishme, përplasja dyshohet se nisi pas një konflikti në ambientet e një lokali dhe vijoi më pas jashtë tij.
Përveç Vatës, autoritetet kanë proceduar edhe persona të tjerë në lidhje me ngjarjen dhe rrethanat që pasuan vrasjen.