Një denoncim i rëndë që lidhet me një udhëtim malor në Shqipëri është publikuar në rrjetet sociale, ku një grua pretendon se është droguar dhe abuzuar seksualisht nga guida që kishte punësuar gjatë qëndrimit të saj në vendin tonë.
Historia është shpërndarë nga profili “momabroad1”, i cili pretendon se gruaja kishte ardhur në Shqipëri për një udhëtim hiking dhe kishte punësuar një guidë alpine që ushtronte aktivitetin në zonën e Bajram Currit.
Sipas postimit, gruaja pretendon se gjatë udhëtimit guida e ka droguar dhe më pas e ka abuzuar seksualisht ndërsa ajo ishte pa ndjenja.
Në postim pretendohet gjithashtu se, pas ngjarjes, personi i akuzuar ka vazhduar ta kontaktojë gruan dhe se për muaj me radhë ajo nuk e kishte bërë publike historinë.
Autorja e postimit pretendon se gruaja vendosi të fliste pasi pa se i njëjti person po promovohej për një tjetër udhëtim me turiste të tjera. Sipas rrëfimit, ajo fillimisht i shkroi një letër personit që akuzon dhe më pas vendosi ta publikonte historinë.
Postimi shkon edhe më tej, duke pretenduar se gruaja nuk është e vetmja që ka ngritur akuza të tilla dhe se ekzistojnë dëshmi të tjera. Gjithashtu pretendohet se pas publikimit të historisë ajo po përballet me kërcënime nga një klub sportiv me të cilin kishte udhëtuar.
Rasti është shpërndarë në rrjetet sociale me thirrje që historia të bëhet e njohur veçanërisht mes grave që udhëtojnë vetëm dhe grupeve që organizojnë aktivitete hiking.
Është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë për akuza të publikuara në rrjetet sociale. Nga materialet e publikuara nuk rezulton një vendim gjykate që të ketë provuar këto pretendime dhe as një reagim i personit të akuzuar apo i autoriteteve shqiptare. Për këtë arsye, pretendimet nuk mund të paraqiten si fakte të vërtetuara.

