Pas raportimit të bërë nga një shtetase turke në redaksinë e JOQ Albania për humbjen e kontakteve me mikun e saj 24-vjeçar, Doğukan Çınar, i riu është gjetur nga autoritetet dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Psikiatrik nr. 5 në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor.
Sipas kallëzimit fillestar të publikuar nga JOQ Albania, e reja kishte bërë me dije se 24-vjeçari ishte zhdukur prej disa ditësh, kishte lënë pasaportën në banesë dhe telefoni i tij rezultonte i fikur. Ajo kishte shprehur shqetësim edhe për gjendjen e tij emocionale, duke deklaruar se ai kishte shfaqur shenja ankthi para largimit.
Pas verifikimeve të kryera, autoritetet kanë bërë me dije se materialet procedurale për rastin janë referuar në Prokurori për vlerësim. Ndërkohë, JOQ Albania kishte publikuar më herët apelimin për ndihmë dhe sensibilizimin e qytetarëve për gjetjen e të riut.