Nga shtrati i Spitalit të Traumës, me pranga në duar dhe nën vëzhdimin e dy efektivëve, 22-vjeçari Klevi Metaj ka rrëfyer përplasjen me 6 policë gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit. Për “Fiks Fare” ai ka treguar se gjithçka ka nisur pasi efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe, i acaruar nga situata, reagoi duke hedhur gurë në drejtim të tyre.
“Isha larg në fillim dhe po mbështesja njerëzit. Ndërhynë ata me gurë, me lotsjellës e kështu. U shpërhapën njerëzit. Kur erdhi polici me skafandër, shikoj që kisha ngelur vetëm unë aty. Ua vesha me gurë, me të tëra unë. Se u acarova që më hodhën atë lotsjellësin”, tregon ai.
Metaj pretendon se teksa po largohej drejt sheshit, një efektiv e ndoqi dhe e goditi fillimisht në këmbë, e më pas në shpinë me shkop. “Më vjen e më gjuan nga këmbët me shkop. ‘Mos gjuaj’, i them unë. Vazhdova të ikja. Ai më keq pastaj, më gjuan në kurriz. U acarova, ua vesha një”, rrëfen 22-vjeçari, i cili pranon se u përfshi në përplasjen me policinë.
Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por ai vijon të qëndrojë në spital, ku ruhet nga dy punonjës policie. Gjatë intervistës, Metaj tregon edhe dokumente që, sipas tij, i përkasin dosjes së Prokurorisë së Tiranës dhe kundërshton numrin e akuzave të ngritura ndaj tij.
“Nuk zgjidhet në këtë lloj mënyre. Janë gjëra të ndërlikuara. Këtu i ke të tërë të korruptuar dhe nuk zgjidhet me protestë. Protesta është të thuash që shiko, se nuk bëni dot si të doni”, shprehet ai, duke kritikuar edhe dhunën gjatë tubimit.
I riu thotë se duhet të ketë një qëllim konkret dhe ngre dyshime për ndikimin e politikës në protestë. Ai pretendon gjithashtu se efektivët i kanë thënë se rrezikon deri në pesë vite burg, ndërsa e cilëson të tepruar trajtimin që po i bëhet në spital.
Klevi Metaj u bë viral në rrjet pas përplasjes së tij me 6 efektivë policie, duke u përleshur i vetëm me të gjithë ata.