Komandanti i Policisë së Shkodrës, Fasli Rama që u godit me një tullë në kokë, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës, pas dëmtimit në kokë gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Ndërkohë, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, protestuesja 34-vjeçare që u plagos në kokë në zonën e Rrugës së Elbasanit ndodhet nën monitorim intensiv, por është e vetëdijshme dhe, sipas të dhënave paraprake, gjendja e saj paraqitet e mirë.
Ndërkaq, në një përditësim të fundit është bërë me dije se po marrin mjekim edhe dy efektivë policise. Njëri prej tyre, me inicialet D.K është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë, ku është nën mbikqyrjen e mjekëve.
“Përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, ora 17:50. Në Spitalin Universitar të Traumës janë nën kujdesin mjekësor dy efektivë policie. Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.
Efektivi me inicialet F.R., i ardhur nga Shkodra, aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë.
Gjithashtu, katër protestues janë nën kujdesin mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas informacioneve paraprake, protestuesja me inicialet E.P. aktualisht ndodhet nën monitorim intensiv. Ajo paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është e vetëdijshme.
Në QSUT nuk ka asnjë të lënduar aktualisht”, shkruan Ministria e Shëndetësisë”, shkruhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.