Profesori i njohur i shkencave juridike, Luan Pirdeni, ndërroi jetë këtë të enjte si pasojë e plagëve të marra në një aksident rrugor në Tiranë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me “Kongresi i Manastirit”, ku 87-vjeçari po qarkullonte me biçikletë kur u godit nga një motomjet.
Pas aksidentit, ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe humbi jetën disa orë më vonë.
Policia bëri të ditur se drejtuesi i motorit, shtetasi S. M., 31 vjeç, është arrestuar nga specialistët e qarkullimit rrugor, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Luan Pirdeni ka dhënë kontribut të gjatë në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, veçanërisht pranë Departamentit të së Drejtës Publike. Ai njihej për angazhimin e tij në mësimdhënien e lëndës “Hyrje në Logjikë” apo “Logjika Juridike”, për të cilën ka botuar edhe literaturë akademike.
Për vite me radhë ai ka qenë pedagog i jashtëm, duke ndihmuar në formimin profesional të brezave të studentëve të drejtësisë, sidomos në fushën e argumentimit ligjor dhe logjikës formale.
Profesor Pirdeni ishte gjithashtu babai i ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni. Lajmi i trishtë vjen vetëm pak ditë pasi ministrja u bë nënë për herë të parë, më 9 maj, kur solli në jetë një djalë.