Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në qarkun e Elbasanit, ku një 42-vjeçar ka humbur jetën pasi një gur dyshohet se u shkëput nga mali dhe ra mbi automjetin që ai drejtonte.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, në afërsi të fshatit Hotolisht.
Sipas të dhënave paraprake, një gur është shkëputur nga faqja e malit dhe ka goditur automjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi A. H., 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan të Elbasanit.
Përplasja ka rezultuar fatale, duke i shkaktuar drejtuesit të mjetit humbjen e jetës në vendngjarje.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.