CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 82
Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka tronditur mëngjesin e sotëm institucionin e paraburgimit 313 në kryeqytet. Dy punonjës të këtij burgu kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit brenda një harku kohor mjaft të shkurtër, duke shkaktuar tronditje dhe alarm tek kolegët dhe autoritetet.
null
Viktimat janë identifikuar si Zog Muhametaj, 62 vjeç, i cili shërbente si oficer policie në këtë institucion, dhe Pëllumb Vana, me detyrë teknik i kamerave të sigurisë.
Sipas informacioneve të para, të dy punonjësit kanë shfaqur probleme të papritura shëndetësore teksa ndodheshin në mjediset e punës. Pavarësisht përpjekjeve për t’u dhënë ndihmën e parë, asnjëri prej tyre nuk ka mundur të mbijetojë. Burime paraprake mjekësore bëjnë me dije se dyshohet që shkak për humbjen e jetës në të dyja rastet të ketë qenë ataku kardiak.
Megjithatë, nisur nga koincidenca tragjike dhe kohëzgjatja mjaft e shkurtër mes dy vdekjeve në të njëjtin institucion, grupi hetimor dhe mjekësia ligjore kanë nisur menjëherë punën. Pritet që autopsia të përcaktojë zyrtarisht shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa po verifikohen edhe rrethanat apo faktorët mjedisorë që mund të kenë ndikuar në këtë ngjarje.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dalë me një reagim zyrtar duke zbardhur kronologjinë e plotë të ngjarjes së rëndë.
Në njoftim bëhen me dije edhe gjeneralitetet e sakta dhe gradat e dy punonjësve që humbën jetën:
Komisar Zog Muhametaj, me detyrë Specialist i Informacionit.
Kryeinspektor Pëllumb Vrana, me detyrë Teknik i Kamerave.
Kronologjia e ngjarjes sipas procesverbalit zyrtar
Institucioni ka sqaruar se si rrodhën ngjarjet dramatike gjatë ndërrimit të shërbimit dhe gjatë natës:
Ora 21:36 (29 Qershor): Komisari Zog Muhametaj ka qenë duke bërë instruktazhin e stafit për ndërrimin e shërbimit, kur ka pësuar një krizë të papritur shëndetësore. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve të institucionit dhe transportit me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak (Spitali i Traumës), ai nuk arriti të mbijetonte.
Ora 00:00 (30 Qershor): Teksa institucioni ishte nën tronditjen e ngjarjes së parë, tekniku i kamerave, Pëllumb Vrana, ka shfaqur gjithashtu probleme të rënda shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës. Atij i është dhënë ndihma e parë nga infermierja e burgut dhe është dërguar me urgjencë në QSUT, ku ka ndërruar jetë rreth orës 01:00 të mëngjesit.
Komisar Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015 (prej vitit 2023 te “313-ta”), me arsim ushtarak dhe i vlerësuar për profesionalizëm të lartë. Kryeinspektor Vrana njihej nga kolegët si një punonjës korrekt që kishte dhënë një kontribut të vyer në sigurinë e institucionit.
Mesazhi i institucionit
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjarëve, duke theksuar se kjo është një humbje e madhe për të gjithë sistemin penitenciar shqiptar.
Ndonëse paraprakisht mjekësia ligjore dyshon për atake kardiake të shkaktuara nga faktorë të papritur shëndetësorë, autoritetet po ndjekin procedurat standarde të verifikimit për të dokumentuar plotësisht këtë koincidencë tragjike në mjediset e IEVP “Jordan Misja”.