TIRANË – Një aksident rrugor i regjistruar mbrëmjen e së hënës në afërsi të fshatit Ibë në Tiranë ka degjeneruar në një konflikt të dhunshëm fizik, ku është përfshirë edhe një punonjës policie. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe veprimet e efektivit.
Sipas të dhënave paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, njëra prej të cilave drejtohej nga punonjësi i policisë. Pas përplasjes, situata mes personave të pranishëm është tensionuar, duke kaluar në përleshje fizike.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjatë konfliktit, efektivi i policisë dyshohet se ka nxjerrë armën e shërbimit, mirëpo pa realizuar të shtëna.
Për shkak të përfshirjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit në incident, dosja i ka kaluar për kompetencë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Grupi hetimor po punon paralelisht për dy pista: përcaktimin e shkaqeve teknike të aksidentit rrugor dhe verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të efektivit gjatë konfliktit.