Personi në foto është Amarild Xhamaqi, 32-vjeçari i identifikuar si autori i të shtënave me armë zjarri të regjistruara në zonën e Ali Demit në Tiranë. Ngjarja shkaktoi panik mes banorëve, pasi i riu dyshohet se ka qëlluar në ajër ndërsa lëvizte me automjetin e tij.
Sipas burimeve, Xhamaqi kishte humbur një skedinë dhe dyshohet se, i irrituar nga humbja, ka nxjerrë armën duke qëlluar disa herë në ajër. Të shtënat alarmuan banorët e zonës, të cilët njoftuan autoritetet për incidentin.
Pas ndërhyrjes së policisë, 32-vjeçari u shoqërua dhe u mor në pyetje lidhur me ngjarjen. Burimet bëjnë me dije se ai është person i njohur për autoritetet dhe ka qenë i proceduar edhe më parë, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.