Një situatë e tensionuar ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne para Bashkisë së Durrësit, ku anëtarë të familjeve të komuniteteve rome dhe egjiptiane, janë revoltuar pasi prej 9 muajsh thonë se nuk kanë marrë bonusin që iu takon nga bashkia.
Të revoltuar, mëngjesin e sotëm ata kanë dalë para ambienteve të jashtme të bashkisë ku janë parë duke tentuar të gjuajnë me gur në drejtim të institucionit, duke shprehur në këtë mënyrë revoltën e tyre.
Në prononcime të dhëna për mediat ata janë shprehur se prej 9 muajsh nuk kanë marrë bonuse nga bashkia, ndërsa shtojnë se janë në siklet dhe për të punuar pasi prej ditësh qiraxhinjtë iu mbërrijnë në derë të shtëpisë për të kërkuar qiranë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i shoqatës “Ushten” Ismail Jakupi, është shprehur se shkak për bllokimin e bonuseve kanë qenë dy arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me verifikimin e dokumentacionit, ndërsa arsyeja e dytë lidhet me mos kalimin e fondit nga Ministria e Financave.
Ndërsa bBashkia e Durrësit është shprehur se problemi i bonuseve do të marrë zgjidhje së shpejti.
Reagimet e qytetarëve:
Qytetarja 1: Ne duam lekët tona. Duam bonusin se jemi me qira. Kemi një vit që nuk e kemi marrë fare. cfarë të bëjmë më përpara ne, të hamë bukë, të ushqejmë fëmijët apo të lajmë qiranë? Pop na nxjerrin njerëzit përjashtë. Cfarë të bëjmë ne? Ku të ngrihemi?
Qytetari 2: Jemi në siklet, nuk dalin dot djemtë në punë për shkak të qiraxhinjve, na dalin përpara na thonë “Lekët ose dilni jashtë”.
Qytetarja 3: Jemi shumë të mërzitur, kemi 3 javë që mashtrohemi nga këta. Na kanë dalë aty të premten e na thanë të hënën do merrni lekët. Kemi pritur tre të hëna, nuk është bërë gjë.