Rikthimi i universin të “La Casa de Papel” po komentohet sërish fuqishëm në rrjet, pasi Netflix publikoi një teaser të ri që ka ndezur menjëherë teoritë për një vazhdim të mundshëm të serialit legjendar spanjoll. Edhe pse shumë fansa po flasin për një sezon të gjashtë të “Money Heist”, deri tani platforma nuk ka konfirmuar zyrtarisht rikthimin e historisë origjinale me një vazhdim direkt.
Në videon e publikuar nga Netflix shfaqen disa nga momentet më ikonike të grabitjeve në Royal Mint dhe Bankën e Spanjës, ndërsa mesazhi “The revolution never ends” ka bërë fansat të besojnë se diçka e re po përgatitet në prapaskenë. Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është skena e fundit e teaser-it, ku duket sikur zbulohet një shufër ari e fshehur, detaj që ka hapur teori të shumta për një histori të re pas grabitjes së madhe të arit.
Megjithatë, raportimet e fundit tregojnë se Netflix po fokusohet më shumë tek zgjerimi i universit “Money Heist” përmes projekteve të reja dhe jo domosdoshmërisht tek “La Casa de Papel Part 6”. Në qendër të vëmendjes aktualisht ndodhet “Berlin and the Lady with an Ermine”, projekti i ri që vazhdon historinë e personazhit të Berlinit dhe që pritet të publikohet globalisht më 15 maj 2026 në Netflix.
Seriali rikthen Pedro Alonso në rolin e Berlinit dhe këtë herë historia zhvillohet në Sevilje, ku banda përfshihet në një tjetër grabitje të rrezikshme që lidhet me veprën e famshme të Leonardo Da Vinçit, “Lady with an Ermine”. Në kast rikthehen gjithashtu Michelle Jenner, Tristán Ulloa dhe Begoña Vargas, ndërsa projekti konsiderohet si ura që mund të hapë kapituj të rinj në botën e “Money Heist”.
Fansat vazhdojnë të shpresojnë për rikthimin e Profesorit dhe ekipit origjinal, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për rikthimin e Álvaro Morte apo të kastit kryesor në një sezon të gjashtë. Krijuesit duket se po synojnë të ruajnë frymën e rebelimit, tensionit dhe grabitjeve spektakolare që e kthyen serialin në fenomen global, por me histori dhe personazhe të rinj.