Një legjislacion i ri i miratuar nga udhëheqësi suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, ka legalizuar zyrtarisht martesën e fëmijëve në Afganistan, duke lejuar që vajzat e mitura të martohen që nga mosha 9 vjeç.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe agjencitë e OKB-së, të cilat e konsiderojnë këtë si institucionalizim të martesës së fëmijëve dhe një goditje të rëndë për autonominë e grave.
Dokumenti i ri zyrtar, i titulluar “Parimet e Ndarjes Midis Bashkëshortëve”, heq moshën minimale të caktuar më parë për martesë dhe specifikon se heshtja e një vajze të virgjër që ka arritur pubertetin konsiderohet si pëlqim për martesë.
Sipas shkollës sunite të ligjit islam që ndjek regjimi, pragu i pubertetit përllogaritet që në moshën 9-vjeçare. Aktivistët theksojnë se përjashtimi i vajzave nga arsimi pas moshës 11 vjeç ka përshpejtuar rritjen e këtyre martesave të parakohshme, ndërsa UNICEF vlerëson se rreth 28% e grave afgane ishin martuar përpara se të mbushnin 18 vjeç.
Përveç legalizimit të martesave të hershme, rregulloret e reja e bëjnë praktikisht të pamundur divorcin për gratë nëse bashkëshorti nuk është dakord. Ligji i ri përcakton se sjellja abuzive dhe dhuna fizike nga ana e burrit nuk përbëjnë më arsye të mjaftueshme për zgjidhjen e martesës.
Një martesë e rregulluar nga babai ose gjyshi përpara pubertetit mund të anulohet vetëm nëse vërtetohet se ata kanë qenë mendërisht të paaftë ose moralisht të korruptuar.
Me këtë vendim, regjimi taleban shfuqizon përfundimisht Kodin Civil të vitit 1977 që e ndalonte martesën nën 16 vjeç për vajzat, si dhe ligjin e vitit 2009 që kriminalizonte martesat nën 15 vjeç. Pavarësisht protestave të organizatave të grave në Kabul dhe kritikave ndërkombëtare, autoritetet afgane i kanë hedhur poshtë reagimet, duke deklaruar se legjislacioni bazohet tërësisht në parimet e tyre të ligjit islamik.