Një rrëfim i fortë dhe emocional është bërë publik nga Qetsor Ferrunaj, fituesi i parë i “Big Brother Albania”, i cili ka folur hapur në “ABC e Mëngjesit” për një traumë të rëndë që, sipas tij, e ka përjetuar që në fëmijëri.
Gjatë rrëfimit, Ferrunaj tregoi se abuzimi kishte nisur kur ai ishte vetëm 5 vjeç dhe se për shumë vite kishte zgjedhur të mos fliste për atë që kishte përjetuar.
Sipas tij, frika për të treguar të vërtetën ishte shtuar për shkak të kërcënimeve që kishte marrë nga personat që, siç pretendon ai, e kishin abuzuar. Ferrunaj tha se ishte kërcënuar se do t’i rrezikohej jeta e motrës nëse do të fliste për atë që kishte ndodhur.
“Më kanë abuzuar që kur isha 5 vjeç”, u shpreh Ferrunaj, duke treguar për një periudhë të gjatë heshtjeje dhe përpjekjesh për të përballuar pasojat e traumës.
Ai foli gjithashtu për ndikimin që kjo përvojë ka pasur në jetën e tij ndër vite. Sipas Ferrunajt, trauma e abuzimit nuk mbetet vetëm në planin emocional, por mund të reflektohet edhe në reagimet fizike të trupit.
“Abuzimi lë shenja në organizëm, të heq edhe dëshirën për të shkuar në tualet”, deklaroi ai gjatë rrëfimit.
Ferrunaj theksoi se vendimi për të folur publikisht për këtë periudhë të vështirë të jetës së tij ka ardhur pas një beteje të gjatë personale me traumën dhe pasojat e saj.
Në rrëfimin e tij, ai pretendoi gjithashtu se personat që e kishin abuzuar kishin pasur pushtet në atë periudhë, çka, sipas tij, e kishte bërë edhe më të vështirë që të fliste dhe të kërkonte ndihmë.
Rrëfimi i Qetsor Ferrunajt rikthen në vëmendje pasojat afatgjata që mund të shkaktojë abuzimi në fëmijëri dhe vështirësinë që shumë viktima përballen për të folur për përvojat e tyre.