Një rrëfim i Eni Çobanit për jetën private të një çifti shumë të njohur shqiptar ka ndezur kureshtjen në rrjet, por jo të gjithë e kanë pritur mirë mënyrën se si historia është bërë publike.
Mes reagimeve ka qenë edhe ai i Rogert Sterkajt, i cili ka kritikuar faktin që tregohen detaje të forta për historinë, ndërsa identiteti i personazheve mbahet i fshehtë.
“Thuajini emrat!!! Aludime me zero fakte. Pa emra, kjo është thjesht publicitet i shpifur për veten dhe atë ‘gazetaren e akullores’. Kush janë ata?”, shkroi Sterkaj, duke iu referuar intervistës së Eni Çobanit me Grida Dumën.
Reagimi vjen pas rrëfimit të juristes, e cila tregoi se në të kaluarën kishte ndërmjetësuar në një konflikt të fortë brenda një familjeje të pasur dhe shumë të njohur shqiptare.
Sipas asaj që tregoi Çobani, bëhej fjalë për një çift që në sytë e publikut shfaqej i bashkuar, ndërsa pas dyerve të mbyllura martesa e tyre kishte kaluar një krizë të thellë.
Juristja pretendoi se të dy partnerët kishin pasur marrëdhënie jashtëmartesore, ndërsa situata ishte komplikuar edhe më shumë pas ardhjes në jetë të një fëmije, për të cilin ajo tha se babai biologjik nuk ishte bashkëshorti.
Pavarësisht problemeve, sipas Çobanit, çifti nuk i ka dhënë fund zyrtarisht martesës, edhe pse prej kohësh nuk jeton më së bashku.
Eni Çobani nuk përmendi emra dhe nuk dha elemente që mund ta identifikojnë me siguri çiftin. Pikërisht misteri rreth identitetit të tyre ka bërë që rrëfimi të prodhojë aludime të shumta në rrjet.
Sterkaj, ndërkohë, e çoi edhe më tej reagimin e tij duke shkruar: “Grida Duma & Eni Çobani kanë 2 gjëra të përbashkëta…”, por pa e përfunduar fjalinë.
Për momentin, identiteti i çiftit mbetet i panjohur dhe çdo emër që mund të përflitet në rrjet mbetet vetëm spekulim.