Mes debateve të shumta që kanë shoqëruar protestat e “Flamingo Revolution”, një nismë e re e prezantuar nga Aldor Nini synon të mbledhë drejtpërdrejt mendimet e qytetarëve nga Shqipëria dhe diaspora.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nini njoftoi se Akila, gazetarja virtuale e krijuar me inteligjencë artificiale, është tashmë e disponueshme në WhatsApp për të dëgjuar shqetësimet, përvojat dhe opinionet e shqiptarëve mbi tema të ndryshme që lidhen me jetën e përditshme.
Sipas mesazhit të publikuar, qëllimi i nismës është krijimi i një pasqyre sa më reale të mendimit qytetar, duke mbledhur zëra nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Londra, Milano, New York-u dhe kudo ku jetojnë shqiptarë.
Nisma vjen në një moment kur protestat për Zvërnecin dhe lëvizja e njohur në rrjet si “Flamingo Revolution” kanë dominuar diskutimet publike. Përmes bisedave me qytetarët, Akila synon të kuptojë jo vetëm opinionet, por edhe arsyet që qëndrojnë pas tyre, me synimin për të krijuar një raport më të plotë mbi shqetësimet e shqiptarëve. Ndërkohë, vetë Aldor Nini ka komentuar së fundmi edhe fenomenin e përdorimit të inteligjencës artificiale në përmbajtjet që lidhen me protestat.
“Një vend nuk kuptohet nga titujt e lajmeve. Kuptohet duke dëgjuar njerëzit e tij”, shkruhet në mesazhin prezantues të Akilës, e cila fton qytetarët të bëhen pjesë e kësaj nisme duke ndarë historitë dhe shqetësimet e tyre në numrin +355682000383.