Dhuna e ushtruar mbrëmjen e djeshme para Komisariatit nr.3 ka lënë pas xhama e dyer të thyera dhe një efektive e cila mbeti e plagosur në krye të detyrës.
Pas goditjeve të forta që qytetarët e maskuar i dhanë godinës së Komisariatit, mësohet se një efektive e cila ka qenë e pranishme brenda godinës ka mbetur e lënduar për shkak të xhamave të thyer.
Siç mund ta shikoni dhe në videon e mëposhtme, efektivja shikohet të ketë marrë plagë në pjesën e brrylit të njërit prej krahëve.
Menjëherë pas dhunës së ushtruar nga disa prej protestuesve, në vendngjarje kanë mbërritur 2 punonjës të stafit mjekësor të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë efektives së plagosur, e cila më pas është transferuar në spital.
Fatmirësisht raportohet se efektivja e plagosur ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.