Reperi i njohur shqiptar, Stresi (Arkimed Lushaj), ka reaguar publikisht ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka etiketuar llogarinë zyrtare të kreut të qeverisë, Stresi ka kërkuar që qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për të ardhmen e vendit.
“Për hir të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj, jepni dorëheqjen dhe lëreni popullin të vendosë për të ardhmen e vendit!”, ka shkruar Stresi, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Ndryshe do kesh fundin më të keq!”.
Reagimi i reperit vjen në një kohë kur Tirana është përfshirë nga protesta të njëpasnjëshme, ku studentë, gjimnazistë dhe qytetarë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Ndër kërkesat e protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit, përmirësimi i kushteve në arsim dhe më shumë mundësi për të rinjtë. Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar edhe me përplasje me policinë.
Stresi është një nga artistët që ka shprehur vazhdimisht qëndrimet e tij për zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipëri.
Thirrja e tij e fundit i është bashkuar reagimeve të shumta publike lidhur me situatën në vend, në një moment kur protestat dhe kërkesat për ndryshim politik kanë marrë vëmendje të gjerë.
