Screenshot
Jonida Maliqi ka ngritur shqetësimin publik për zhurmat e punimeve në orët e para të mëngjesit, përmes një story të publikuar në Instagram.
Këngëtarja ka ndarë një video ku shfaqen punime në një kantier ndërtimi pranë banesës së saj, ndërsa ora në ekran tregon 06:23 të mëngjesit. E irrituar nga zhurmat që sipas saj nisën shumë herët, Jonida ka reaguar publikisht duke pyetur ndjekësit nëse një situatë e tillë është e lejueshme.
“Ja çfarë bëhet, ora 6 e mëngjesit dhe zgjohemi nga punimet. Është e lejueshme kjo?”, dëgjohet ajo të thotë në story, ndërsa më pas shton edhe një koment ironik: “Policia Bashkiake ku je?”

Postimi i artistes ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ku shumë qytetarë janë identifikuar me shqetësimin e saj për zhurmat dhe punimet që zhvillohen herët në zonat e banuara. Ndërkohë, të tjerë kanë komentuar mbi respektimin e orareve të lejuara për punime në kryeqytet.
Jonida Maliqi njihet për reagimet e saj të drejtpërdrejta në rrjetet sociale, ku shpesh ndan me ndjekësit situata nga përditshmëria apo problematika që has në qytet.