Anxhelo Kumaraku, një efektiv i Policisë së Shtetit, ka mbetur i plagosur pak pas mesnate në Tiranë. Ai është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht, burime jozyrtare tregojnë se efektivi po qëndronte në lagje, në zonën e Shkozës, me fqinjin e tij që duhet të ishte në arrest në shtëpi.
Por Anxhelo Kumaraku jo vetëm që nuk kishte njoftuar kolegët dhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, që fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë, por i bënte edhe shoqëri duke rrezikuar jetën e vet, ashtu siç në fakt ndodhi.
Ky person, kishte konflikte me trafikantë të tjerë në Tiranë për shkak të prishjes së pazareve të drogës dhe kur ata kanë parë se kishte dalë nga shtëpia, ku togat e zeza e kishin lënë në arrest shtëpiak, kanë shkuar për ta vrarë.
Nga të shtënat me armë zjarri, ka mbetur i plagosur efektivi Anxhelo Kumaraku. Ai ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10 në zonën e Shkozës dhe menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.