Aktori i njohur Gaz Paja ka reaguar publikisht pasi në rrjetet sociale qarkulloi një video ku ai dhe bashkëshortja e tij u përballën me fyerje nga disa protestues, të cilët e akuzuan për mbështetjen e tij ndaj Partisë Socialiste.
Përmes një postimi të gjatë në Instagram, Paja u shpreh se nuk e shqetësojnë sulmet personale, por fakti që, sipas tij, në shënjestër është vendosur edhe familja e tij.
“Jam po aq shqiptar sa ju. Lëndohem kur dikush prek familjen time. Nuk më dhembin më sharjet, jam mësuar me to, edhe pse nuk i meritoj. Më dhemb fakti që gjithçka ndodhi para syve të gruas sime, nënës së fëmijës tonë. Më dhemb që edhe ajo u bë objekt sulmi vetëm sepse ecën në krahun tim,” shkruan ai.
Aktori thekson se mbështet Partinë Socialiste për bindjet e tij politike, por sqaron se nuk ka qenë pjesë e strukturave të partisë dhe as nuk ka përfituar privilegje apo poste publike.
“Po, unë mbështes Partinë Socialiste. Është zgjedhja ime dhe e drejta ime. Por kjo nuk do të thotë se jam dakord me çdo vendim apo me çdo individ. Nuk kam marrë poste, privilegje, tendera apo prona. Kam punuar që fëmijë dhe jetoj me djersën e punës sime,” shprehet ai.
Në reagimin e tij, Gaz Paja ndalet edhe te akuzat që janë bërë ndaj tij lidhur me investimin strategjik, duke sqaruar se ka qenë vetëm ndërmjetës mes investitorëve dhe pronarëve të tokës, pa përfituar prona apo favore.
Në fund, ai u bën thirrje qytetarëve që të ndajnë bindjet politike nga familja dhe të shmangin gjuhën e urrejtjes.
“Unë nuk do t’ju përgjigjem me urrejtje e as me dhunë. Qeveritë ndryshojnë, por karakteri i njeriut mbetet. Protesta është e drejtë, por familja është e shenjtë. Shqipëria e re nuk duhet të ketë urrejtje e dhunë, por edukatë, dashuri, respekt dhe shpresë,” përfundon aktori.