Pas 33 ditësh protesta të pandërprera në Tiranë, ku dy ditët e fundit situata është përshkallëzuar në përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh ku bën thirrje për dialog.
Mëngjesin e sotëm, tensionet u rikthyen në zonën e protestës, ku pati përplasje mes forcave të rendit dhe demonstruesve. Disa protestues u shoqëruan nga policia, ndërsa sipas autoriteteve, gjatë incidenteve mbetën të plagosur edhe disa efektivë. Përplasjet vijnë pas një serie protestash që kanë vijuar prej më shumë se një muaji dhe që në dy ditët e fundit kanë marrë një kthesë më të ashpër.
Pak minuta më parë, kryeministri Edi Rama publikoi një reagim në rrjetet sociale, ku e cilësoi situatën si një moment që kërkon reflektim dhe dialog. Duke iu referuar protestës dhe debatit publik të krijuar rreth saj, ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë historike të negociatave me Bashkimin Evropian dhe se kjo rrugë nuk duhet të vihet në rrezik.
Në fund të mesazhit të tij, Rama u ndal te çështjet që kanë nxitur protestën, si Vjosa-Narta, flamingot, transparenca, lufta kundër korrupsionit dhe kritikat ndaj qeverisë, duke deklaruar se të gjitha këto duhet të trajtohen përmes dialogut demokratik me Qeverinë Shqiptare. Kjo është hera e parë gjatë këtyre javëve të protestave që kryeministri e mbyll reagimin e tij me një thirrje të drejtpërdrejtë për dialog.
