Një rrëfim tronditës ka mbërritur në redaksinë e “Pa Dorashka”, ku një vajzë e re ka denoncuar në mënyrë anonime atë që ajo e përshkruan si një përvojë traumatike gjatë një vizite tek një gjinekolog në një klinikë private. Për të ruajtur privatësinë dhe sigurinë e saj, identiteti i qytetares nuk do të bëhet publik, ndërsa mjeku do të identifikohet vetëm me inicialet Gj.T.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka nisi pas disa dhimbjeve të forta në fund të barkut, të cilat u përkeqësuan gjatë natës. E alarmuar nga gjendja dhe duke kërkuar një kontroll sa më të shpejtë, ajo vendosi të drejtohej në një klinikë private së bashku me të fejuarin.
“Nuk po i duroja më dhimbjet. Më orientuan tek gjinekologu dhe më thanë se mund të ishte problem grash”, rrëfen ajo për “Pa Dorashka”.
Por sipas vajzës, situata mori një kthesë të frikshme që në momentet e para të vizitës. Ajo pretendon se mjeku nuk lejoi të fejuarin të hynte në dhomë gjatë kontrollit.
“Po hynim bashkë dhe ai i tha të fejuarit: ‘Aaaa ti jo’. Pastaj më tha mua se do bënte punën e tij”, tregon ajo.
Qytetarja thotë se në ato momente ishte e tensionuar, e frikësuar dhe e pafuqishme për shkak të gjendjes shëndetësore. Sipas saj, gjatë kontrollit gjinekologjik, mjeku nisi të bënte komente që e vendosën menjëherë në siklet.
“Më tha ‘hip këtu’. Fillova të ndihesha shumë keq. Isha me dhimbje dhe e trembur. Në një moment nisi të bënte komente për trupin tim dhe unë u bllokova komplet”, rrëfen ajo.
Në dëshminë e saj, vajza pretendon se situata agravoi edhe më tej gjatë ekzaminimit, ku sipas saj pati prekje dhe sjellje që ajo i konsideron të papërshtatshme për një kontroll mjekësor.
“U pataksa. Fillova të dridhesha. I thashë: ‘Si guxon të më prekësh, kjo nuk më duket normale’. Pastaj fillova të thërrisja të fejuarin”, shprehet ajo.
Sipas rrëfimit të qytetares, personeli i klinikës është përpjekur ta qetësojë duke i thënë se “mjeku është doktor i mirë”, por ajo këmbëngul se ajo që përjetoi nuk kishte asgjë normale.
“E dola duke bërtitur. Ishte tmerr. Akoma nuk e kam hequr nga mendja atë që ndodhi”, thotë ajo.
Qytetarja ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e një asistenteje apo infermiereje gjatë kontrollit, duke pretenduar se kjo e bëri të ndihej edhe më e pambrojtur.
Pretendimet e bëra nga qytetarja mbeten të paverifikuara zyrtarisht dhe “Pa Dorashka” po e trajton rastin me kujdes maksimal, duke ruajtur anonimatin e saj dhe pa publikuar identitete të plota deri në një reagim apo verifikim nga institucionet përkatëse.


